Kompanitë e mëdha tregtare në Kosovë, në prag të festave të fundvitit, kanë filluar një fushatë marketingu, me anë të cilës informojnë qytetarët për produkte të ndryshme, në të cilat kanë bërë zbritje të mëdha, apo edhe ofrojnë lojëra të shumta shpërblyese në rast të blerjes në ato markete.

Por, kjo fushatë marketingu nga përfaqësues për mbrojtje të konsumatorit dhe nga qytetarët konsiderohen të jetë e ekzagjeruar dhe në shumë raste e rrejshme dhe agresive.

Qamil Nika, qytetar nga Prishtina, me profesion teknik i makinerisë, tregon raste të shumta kur ai dhe familja e tij kanë hasur në marketing të rrejshëm të kompanive tregtare.

“Këto reklama që i shpërndajnë në formë të fletushkave, duke i vendosur në vetura, nëpër shtëpi, banesa, madje edhe rrugë, duke e ndotur edhe ambientin, apo edhe përmes televizioneve, janë reklama të rrejshme. Ja një rast që i ka ndodhur djalit tim në dy vende ku ai ka shkuar për të blerë. Kur ka shkuar të marrë një produkt me çmimin reklamues, atje ka qenë çmimi ndryshe, ndërkaq kur ka shkuar në arkë për të paguar, ka qenë 4 euro më shtrenjtë. Pse ata për vete po dinë t’i rregullojnë çmimet e jo për ne, po na mashtrojnë çdo herë”, shprehet Nika, 60 vjeçar.

Në raste të tilla ka hasur edhe Artan Krasniqi, student në njërin nga fakultetet private në Prishtinë. Ai thotë se nuk ka asnjë dyshim se marketingu i kompanive tregtare në të shumtën e rasteve është tërheqës për konsumatorin, por në të njëjtën kohë është edhe mashtrues.

0 comments :

Post a Comment