Një rast i rëndë i keqpërdorimit të vajzave të mitura, madje nga mësuesit, ata që do të duhej t’i edukonin dhe udhëzonin fëmijët në rrugë të drejtë, ka ndodhur më 28 tetor në Malishevë, por që deri dje është mbajtur në heshtje, larg opinionit.

Mësues 59 vjeçar, me inicialet R. M. është kapur dhe arrestuar nga policia, për veprën penale shpërdorimit seksual pasi është gjetur në një dhomë me një nxënëse të shkollës fillore ‘’Ibrahim Mazreku”, në një dyqan të këpucëve në Malishevë.

Rasti ndodhi tri ditë më parë, por policia rajonale në Prizren e ka mbajtur në heshtje. I pyetur rreth rastit, zëdhënësi Rajonal i Policisë në Prizren Hazir Berisha, tha se zyra e tij ka vepruar kësisoj, për të ruajtur identitetin e vajzës së mitur, që është edhe nxënëse.

Berisha ka konfirmuar për Zëri-n se i arrestuari është mësues në shkollën fillore “Ibrahim Mazreku” të Malishevës, i lindur në vitin 1954, ndërsa bashkë me të është arrestuar edhe pronari i dyqanit të këpucëve, i cili kishte lejuar që lokali i tij të përdorej për një takim të kësaj natyre.

“Për këtë rast policinë e ka njoftuar një qytetar, i cili ka telefonuar duke thënë se një arsimtar ishte mbyllur në një lokal me një vajzë të mitur. Policia ka reaguar shpejt, duke gjetur lokacionin dhe pas kërkesës së policisë i dyshuari ka hapur derën e dhomës ku ishte bashkë me vajzën e mitur”, tha Hazir Berisha, zëdhënës i Policisë për rajonin e Prizrenit. Ai poashtu pohoi se nuk ka pasur ndonjë kontakt seksual ndërmjet mësimdhënësit dhe të miturës pasi që rasti është lajmëruar me kohë. Berisha nuk pranoi t’i japë as inicialet e të miturës me qëllim të mbrojtjes së identitetit të saj.

0 comments :

Post a Comment