Në “El-Musned” përmendet hadithi i transmetuar nga El-Bera’ë Bin Azibi, i cili ka thënë: “Bashkë me të Dërguarin e Allahut dolëm për të përcjellë xhenazen e njërit prej burrave nga ensarët, derisa arritëm te një varr, të cilit nuk i ishte bërë akoma lahdi . I Dërguari i Allahut u ul dhe ne u ulëm rreth tij. Dukej sikur mbi kokat tona qëndronte ndonjë zog. Profeti alejhi selam kishte një shkop në dorë dhe me të gërryente tokën. Ai ngriti kokën dhe tha: “Kërkoni ndihmë nga Allahu prej dënimit të varrit.” …………………………………………………

Kur robi jobesimtar largohet nga kjo botë dhe i afrohet tjetrës, atij i zbresin engjëj me fytyra të zeza. Ata kanë me vete armore dhe i ulen pranë, aq sa është shikimi i tij. Më pas, i vjen engjëlli i vdekjes, i cili i ulet afër kokës dhe i thotë:
“O ti shpirt i keq, dil drejt urrejtjes së Allahut dhe zemërimit të Tij.”
Shpirti do të zhytet në trupin e tij dhe engjëlli do ta shkulë, ashtu siç shkulet hekuri nga leshi i lagur.
Më pas ëngjëlli i vdekjes do ta marrë shpirtin e tij, por engjëjt e tjerë do tia marrin dhe nuk do ta lënë për asnjë çast në dorën e tij (ëngjëllit të vdekjes) dhe do ta vendosin tek armoret nga të cilat del një aromë e keqe, sikurse era më e keqe e kufomës që gjendet në tokë.
Do të ngjiten lart bashkë me të dhe rrugës do të kalojnë pranë një grupi engjëjsh, të cilët do të pyesin: “Ç’është ky shpirt i keq?”
Engjëjt shoqërues do të përgjigjen: “Është shpirti i filanit, i biri i filanit” dhe e thirrin atë me emrat më të shëmtuar më të cilët e thërrisnin në jetën e dynjasë. Kur të arrijnë te qielli i dynjasë, ata do të kërkojnë që t’u hapet dera, por një gjë e tillë nuk do të ndodhë.”
Më pas, i Dërguari i Allahut alejhi selam lexoi ajetin kuranor: “Atyre nuk do t’u hapen dyert e qiellit dhe as nuk do të hyjnë në Xhenet, derisa të hyjë deveja në vrimë të gjilpërës.”
Allahu do të thotë: “Shkruajeni librin në sixhin” dhe shpirti i tij do të hidhet tej. Atëherë, lexohet ajeti kuranor: “Ai që i përshkruan shok Allahut është si ai që ka rënë nga qielli dhe e ka rrëmbyer shpendi, ose si ai, të cilin e hedh era e stuhishme në ndonjë vend të humbur.” Shpirti do t’i kthehet në trup, e më pas do t’i vijnë dy engjëj. Ata do ta ulin dhe do ta pyesin: “Kush është Zoti yt?” Ai do të përgjigjet: “Ah, ah, nuk e di!” Engjëjt do ta pyesin përsëri: “Cila është feja jote?” Jobesimtari vazhdon me të njëjtën përgjigje: “Ah, ah, nuk e di!”
Më pas, engjëjt do t’i thonë: “Kush është ai burrë që u dërgua te ju?” Jobesimtari do të përsërisë të njëjtën përgjigje: “Ah, ah, nuk e di.” Atëherë, një thirrës do të thërrasë nga qielli: “Robi im gënjeu, shtrojeni me shtroje prej zjarrit, visheni me rroba prej zjarrit dhe hapjani një derë drejt Zjarrit.” Atij do t’i vijë nxehtësia dhe helmet e tij (Xhehenemit). Varri do t’i ngushtohet, derisa t’i mpleksen brinjët me njëra-tjetrën. Pastaj, do t’i vijë një njeri me fytyrë të shëmtuar dhe me rroba që kundërmojnë erë të keqe. Ai do t’i thotë: “Përgëzohu me atë që të lëndon! Kjo është dita që të ishte premtuar!” Jobesimtari do ta pyesë: “Kush je ti? Fytyra jote është fytyra e atij që vjen me diçka të keqe.” Njeriu i përgjigjet: “Unë jam puna jote e keqe.” Atëherë, jobesimtari thotë: “O Zot, mos e bëj kiametin!”

Në një transmetim të Ahmedit thuhet: “Nga pas do t’i lidhet një i verbër, shurdh dhe memec, që në dorën e tij mban një varé, me të cilën sikur të goditet një mal, ajo do ta bënte hi. Kështu, ky njeri do ta godasë, derisa ta bëjë hi. Më pas, Allahu do ta kthejë ashtu siç ishte më parë. Do të goditet përsëri, derisa të bërtasë aq sa ta dëgjojë gjithçka, përveç xhindëve dhe njerëzve.”

El-Bera thotë: “Më pas do t’i hapet një derë prej Zjarrit dhe do t’i përgatitet vendi prej shtresave të tij.”

Gjithashtu, në “El-Musned” transmetohet gjithashtu nga ai se ka thënë: “Ndërkohë që po rrinim me të Dërguarin e Allahut, ai pa drejt një grupi dhe tha “Përse janë mbledhur ata?” Iu përgjigjëm: “Po hapin një varr.” I Dërguari i Allahut u frikësua, doli me shpejtësi mes sahabëve, u afrua te varri dhe u ul në gjunjë. U ula përballë tij për të parë se çfarë do të bënte. Ai qau, derisa u lag prej lotëve të tij. Pastaj, erdhi te ne dhe tha: O vëllezërit e mi! Përgatituni për këtë ditë!”

0 comments :

Post a Comment